Pse trupi krijon simbole?

Nga Vlera Zejnullahi · 2026-07-04 · Kujtim Drite · Poezi & Refleksione Shqip

Kur duart fillojnë të flasin

Të shtunën dhe të dielën bëhem simbol.

Ka diçka që më ndodh pothuajse çdo fundjavë.

Kaloj disa orë duke lëvizur. Yoga. Frymëmarrje. Improvizim. Trupi fillon të udhëheqë, ndërsa mendja gradualisht ndalon së kontrolluari çdo lëvizje.

Pastaj ndodh diçka që nuk e planifikoj kurrë. Duart e mia fillojnë të krijojnë simbole.

Jo sepse po përpiqem. Jo sepse po mendoj për to.

Madje, shumicën e kohës as nuk e kuptoj që po ndodh. E vërej vetëm më vonë, kur shoh një fotografi ose një video.

Dhe çdo herë më lind e njëjta pyetje.

Pse?

Në fillim mendova se ishte rastësi.

Por sa më shumë e lija trupin të ishte plotësisht i lirë, aq më shpesh shfaqeshin të njëjtat forma.

Aty filloi kurioziteti im.

Jo për të kuptuar çfarë do të thotë një simbol. Por për të kuptuar pse trupi ndien nevojën ta krijojë fare.

Inteligjenca e duarve

Shpesh i shohim duart vetëm si mjete.

Për të kapur. Për të shkruar. Për të ndërtuar.

Por biologjia tregon një histori shumë më interesante.

Në trurin tonë, duart kanë një nga përfaqësimet më të mëdha në korteksin motorik dhe somatosensor. Ato përmbajnë mijëra receptorë ndijorë dhe janë vazhdimisht në komunikim me sistemin nervor.

Kjo do të thotë se çdo lëvizje e vogël e gishtërinjve krijon informacion të ri që përpunohet nga truri.

Ndoshta kjo është arsyeja pse, kur emocionohemi, flasim me duar.

Kur tregojmë një histori, përdorim duart. Kur krijojmë art, përdorim duart. Kur meditojmë, përsëri përfundojmë te duart.

Sa më shumë e studioja këtë, aq më pak më dukej rastësi.

Një gjuhë që përsëritet në çdo kulturë

Ajo që me fasionon edhe më shumë ishte se pothuajse çdo qytetërim ka krijuar simbole me duar.

Në yoga njihen si mudra.

Në budizëm shfaqen në pothuajse çdo statujë të Budës, ku çdo pozicion i duarve ka një kuptim të caktuar.

Në hinduizëm, hyjnitë paraqiten me mudra të ndryshme që simbolizojnë mbrojtjen, dijen, dhembshurinë ose bekimin.

Në krishterim, mënyra si bëhet bekimi apo lutja është gjithashtu e lidhur me pozicione të caktuara të duarve.

Në Islam nuk ekziston një sistem mudrash si në yoga, por duart kanë një rol të rëndësishëm në praktikën fetare. Ato ngrihen gjatë duasë si shprehje përulësie dhe pranimi, ndërsa në namaz çdo pozicion i trupit dhe i duarve ndjek një rend të caktuar që përsëritet çdo ditë.

Edhe në kulturën shqiptare, pa e vënë re, duart kanë qenë gjithmonë pjesë e mënyrës sonë të komunikimit. Nga bekimet e gjyshërve, te vallet tradicionale, te mënyra si tregojmë një histori apo shprehim emocionet kur flasim.

Kultura ndryshon. Besimet ndryshojnë. Simbolet ndryshojnë.

Por duart vazhdojnë të shfaqen.

Dhe kjo më bëri të pyes:

A i kemi shpikur ne simbolet?

Apo kemi vëzhguar të njëjtin trup dhe kemi arritur, në mënyra të ndryshme, në forma të ngjashme?

Po energjia?

Sot pothuajse çdo diskutim rreth mudrave përfundon te fjala energji.

Dhe mendoj se pikërisht aty humbasim një pjesë shumë interesante të bisedës.

Po sikur, përpara se ta quanim energji, të ishte biologji?

Kur ndryshojmë pozicionin e duarve, nuk ndryshon vetëm forma.

Ndryshon mënyra si aktivizohen muskujt. Ndryshon informacioni që receptorët dërgojnë në tru. Ndryshon mënyra si drejtojmë vëmendjen. Ndryshon mënyra si e përjetojmë trupin.

Shkenca nuk ka provuar se çdo mudër ka efektet specifike që shpesh i atribuohen.

Por biologjia na tregon qartë se duart nuk janë neutrale. Ato janë një nga mënyrat kryesore përmes së cilës sistemi ynë nervor ndërvepron me botën.

Ndoshta një pjesë e asaj që përshkruajmë si “energji” është thjesht një proces biologjik që ende nuk dimë ta përshkruajmë plotësisht.

Trupi si inteligjencë

Sa më shumë e praktikoj këtë, aq më pak e shoh trupin si diçka që duhet kontrolluar.

E shoh si një inteligjencë më vete. Një inteligjencë që nuk mendon me fjalë.

Por me ritëm. Me frymëmarrje. Me lëvizje. Me simbole.

Ndoshta tani kam filluar ta kuptoj gjuhën e trupit.

Dhe vetëm sepse njerëzit kanë kultivuar gjuhën për të komunikuar me njëri-tjetrin, nuk do të thotë se ajo është forma e vetme e komunikimit.

Trupi flet. Natyra flet. Simbolet flasin.

Ndoshta ne thjesht kemi harruar si t’i dëgjojmë.

Vlera Zejnullahi is a Creative Director, Intuitive Artist, and Poet from Kosovo. Author of Kujtim Drite (Memory of Light), a collection of ~80 poems. She writes in Albanian and English about consciousness, self-discovery, inner light, and feminine power. Follow on Instagram @vleeraz or Spotify.

Lexo më shumë · Read more

← Të gjitha artikujt Lexo në faqe →