Shumë shpesh e gjej veten duke ditur diçka që nuk më kujtohet ta kem mësuar.
Nuk po flas për intuitën.
Po flas për atë ndjesinë kur një mendim del krejt natyrshëm, e pastaj ndalesh dhe pyet veten:
Ku e kam lexuar këtë? Kush ma ka treguar?
Dhe nuk gjen asnjë përgjigje.
Kjo më ndodh më së shumti kur shkruaj.
Nuk mendoj shumë para se të shkruaj. Përkundrazi, shumë nga poezitë e mia i kuptoj vetëm pasi i lexoj disa ditë më vonë. Ka raste kur një poezi më lë me një pyetje aq të madhe, sa filloj të studioj vetëm për shkak të saj.
"Kujtesë pa kujtim" ishte njëra prej tyre.
Sa më shumë lexoja, aq më shumë kuptoja që nuk isha e para që e bëja këtë pyetje.
Platoni fliste për anamnesis, idenë se të mësuarit mund të jetë një formë rikujtimi.
Henri Bergson mendonte se kujtimet nuk zhduken, por vetëm bëhen të paarritshme.
Neuroshkenca flet për kujtesën implicite, për informata që ndikojnë në sjelljen tonë edhe kur nuk arrijmë t'i rikujtojmë me vetëdije.
Por ideja ku gjithmonë rikthehem është ajo e Carl Jung-ut.
Pavetëdija kolektive.
Ndoshta sepse për herë të parë hasa një teori që i afrohej diçkaje që e kam ndjerë prej kohësh.
Më pëlqen ta mendoj që kur futemi mjaftueshëm thellë brenda vetes, nuk gjejmë vetëm veten.
Gjejmë gjurmë. Të njerëzve para nesh. Të historive që janë treguar mijëra herë.
Të simboleve që vazhdojnë të përsëriten në kultura që nuk janë takuar kurrë.
Ndoshta për këtë arsye kam pasur gjithmonë nevojë të dëgjoj tregime.
Mbase nuk isha duke kërkuar një histori të re. Mbase isha duke kërkuar një kujtim.
Kam edhe një mendim tjetër që vazhdon të më ndjekë.
Po sikur vetëdija të mos jetë duke krijuar jetën në kohë reale?
Po sikur jeta të jetë tashmë e jetuar dhe ajo që ne e quajmë përvojë të jetë vetëm procesi i rikujtimit të saj?
Nuk e di.
Ndoshta nuk do ta di kurrë.
Por sa më shumë lexoj, aq më shumë më duket se studimi nuk më jep mendime të reja. Më jep vetëm fjalët për të përkthyer diçka që e kam ndjerë prej kohësh.
Dhe në këtë pikë vazhdoj të lëkundem mes një pyetjeje që nuk më lë rehat dhe një ideje që vazhdon të më ndjekë.
Ndoshta nuk jam duke mësuar. Ndoshta vetëm jam duke kujtuar.