Mos prit me pa dritë mrena vetes. Drita është reflektim i errësirës brenda, e nuk po flas për një errësirë të zezë, të dhimbshme, me mërzi apo çka do që jemi mësuar ta asociojmë me terrin.
Shumë shpesh, kujtesa kolektive e species njerëzore na shtyn në mënyrë të pavetëdijshme me perceptu diçka si të mirë, të keqe apo të dëmshme. Shembulli më i mirë për këtë janë instinktet tona. Ende pa pasur shumë eksperienca në jetë, lindim me instinktin e mbijetesës.
Por sa prej frikërave tona janë vërtet tonat, e sa janë kujtime, besime dhe perceptime që i kemi trashëguar?
A është një përbindësh i frikshëm për shkak të natyrës së tij, apo për shkak të kujtimit të frikës që kemi krijuar rreth tij? E nëse nuk është i frikshëm, a është vetë perceptimi ynë ai që e bën të tillë?
Që një kohë studioj veten përmes perceptimeve dhe mundohem ta riprogramoj abstrakten.
Çfarë ndodh nëse terri nuk perceptohet si diçka e keqe apo e frikshme?
Çka ndodh nëse kolektivisht nuk besojmë që diçka apo një përbindësh është i keq?
Çka ndodh kur perspektiva jote ndryshon ndaj së keqes, ndaj mbijetesës dhe ndaj të papriturave që zgjojnë frikën e së panjohurës?
Çka nëse e panjohura nuk është aspak e frikshme?
Gjithmonë kam qenë person abstrakt dhe më kanë pëlqyer antonimet. Lart e poshtë. Mirë e keq. Dritë e errësirë. E madhe e vogël. E gjatë e shkurtër.
Po mendoja shumë për këtë temë.
Kur doja të flija, mendoja dritë, bukuri, zanat e vogla. Dhe mendoja: çfarë ndodh nëse në ëndërr më vjen një përbindësh dhe vetëm zgjimi më shpëton?
Atë natë më erdhi në ëndërr një zanë shumë e madhe, në një vend plotësisht të errët. Vetëm ajo bënte dritë. Jo sepse ishte e gjitha e ndritshme, por sepse mbi trup kishte forma ndriçuese, sikur body painting me dritë.
Ajo më kapi me duar. Unë isha aq e vogël sa një gisht i këmbës së saj.
Është shumë e çuditshme që nuk u frikësova.
Ishte hera e parë që mendoja për një zanë të madhe, sepse për mua zanat gjithmonë kanë qenë të vogla, cute, të bukura.
Por kjo ishte një zanë gjigande.
Më kapi me të dyja duart, sikur të më merrte për të pirë ujë, e unë nuk i frikësohesha.
Pastaj më puthi dhe më lëshoi prapë në tokë.
Kur u zgjova, mu duk sikur kishte ndodhur me të vërtetë. Gjithçka ishte aq e kthjellët sa fillova të lexoj për zanat gjigande. Nuk e kisha ditur kurrë sa shumë arketipe të tyre ekzistojnë.
Kjo ishte eksperienca ime e parë kur ndjeva që truri im kishte filluar ta riprogramonte abstrakten.
Praktikat për abstrakten fillova t’i bëja më shpesh.
Unë gjithmonë kam pasur frikë nga terri.
Hyja në një dhomë për një orë në mbrëmje dhe sfidoja frikën. Errësirë e plotë. Vetëm unë dhe frika ime, të mbyllura mes katër mureve.
Kjo ishte praktika ime e përditshme.
Shumë më vonë kuptova që, pa e ditur, kjo ngjan me atë që psikologjia e quan ekspozim gradual ndaj frikës. Kur truri përballet vazhdimisht me diçka pa ndodhur rreziku që pret, ai fillon ta interpretojë ndryshe atë përvojë.
Dalëngadalë fillova ta integroj më thellë edhe konceptin e “njësisë”.
Të gjithë jemi një.
Për mua kjo nuk do të thotë që individualiteti nuk ekziston, por që gjithçka lidhet me gjithçka tjetër në mënyra që shpesh nuk i kuptojmë.
Ky është një nga konceptet fundamentale që mendoj se njeriu duhet ta zhvillojë dhe ta thellojë. Ta kuptojë sa më shumë idenë që gjithçka është një.
Do ta shtjelloj më gjerë në një artikull tjetër.
Një praktikë tjetër që bëja ishte të shikoja për rreth dhjetë minuta karaktere apo figura që perceptohen si të urryera.
Jo për t’i justifikuar.
Por për ta mishëruar më thellë idenë që ti mund të konsiderohesh i keq, por prapë je pjesë e së njëjtës tërësi.
Njerëzit harrojnë që gjithçka që i frikëson, një herë e një kohë ka qenë pjesë e të njëjtit univers që na ka krijuar edhe neve. Materia që na përbën ka kaluar nëpër forma të panumërta dhe atomet që sot janë pjesë e trupit tonë dikur kanë qenë pjesë e yjeve, e tokës, e bimëve dhe e qenieve të tjera.
Me këtë praktikë, kur arrin të ndjesh keqardhje apo mirëkuptim për diçka që e percepton si të keqe, fillon ta thellosh kuptimin e njësisë dhe i mëson trurit të krijojë një rrugë të re përtej kujtimeve dhe etiketimeve të ngurta të “mirës” dhe “së keqes”.
Ndoshta riprogramimi i abstraktes nuk fillon kur gjen përgjigje.
Ndoshta fillon kur fillon t’i vësh në dyshim pyetjet që i ke marrë si të mirëqena gjithë jetën.
Ndoshta terri nuk është armiku ynë.
Ndoshta vetëm perceptimi që kemi ndërtuar për të.