Kush po flet brenda teje?

Nga Vlera Zejnullahi · 2026-07-20 · Kujtim Drite · Refleksione Shqip

Po mendoja, sa gjëra janë që unë i konsideroj normale dhe nuk më bëjnë fare përshtypje, e sa prej tyre do të ishin të pakuptueshme ose të papranueshme për rrethin tim familjar?

Kjo ndarje sikur të shtyn pa vetëdije me jetu dy jetë paralele, në dy versione të ndara të vetes.

Mos të harrojmë që vetëdija e familjes tënde jeton në ty. Në fakt, është shumë interesante me e ba këtë praktikë, me u bind që zëri yt i brendshëm nuk është krijuar vetëm prej teje. Sa prej tij është yti? Sa prej tij është i familjes? Sa prej tij është i kulturës ku je rritë?

Kur fillon zëri brenda teje, ndalu për pak dhe analizoje. Kush po tingëllon? Kujt ia ke dëgju këto fjalë? Kush ka fol kështu para teje?

Për mu është aq e dukshme, sa kam kalu një kohë të gjatë duke punu me këtë zë. Sa shpesh e kam nxënë veten duke e dëgju zërin e brendshëm me vetëdijen e babit tim, të nanës time, madje edhe të shoqërisë së shkollës fillore.

Është pak e frikshme kur fillon identifikimi, sepse fillon me mendu që krejt jeta jote është një gënjeshtër e madhe e krijuar prej ambientit ku je rritë. Por nëse mundesh me i rezistu kësaj frike dhe me pranu që je një asgjë dhe një gjithçka në të njëjtën kohë, fillon paqja. Fillon kuptimi.

Kurrë mos harro që truri ka neuroplasticitet dhe është vazhdimisht duke ndryshu gjatë jetës. Për mu kjo është një prej gjanave ma çliruese që kam mësu për trurin. Nuk jemi të dënuar me mbetë versioni që jemi sot. Truri yt është një organ që mëson, përshtatet dhe krijon lidhje të reja gjatë gjithë jetës.

Rutina është një prej mënyrave se si truri ynë forcon ato lidhje neurologjike. Sa ma shumë që një mendim, emocion apo sjellje përsëritet, aq ma shumë bëhet e njohur për trurin. E ajo që është e njohur për trurin, shpesh bëhet edhe zgjedhja e tij e parë.

Është shumë e rëndësishme me kuptu që truri, si organ, nuk operon me kategori morale si “e mirë” apo “e keqe”. Ai mëson nga ajo që përsëritet.

Është një fjali që më rri vazhdimisht vath në vesh:

“Truri më përpara zgjedh një ferr të njohur sesa një parajsë të panjohur.”

Sa ma shumë që lexoj për trurin, aq ma shumë kuptim fillon me më ba kjo fjali. Ajo që është e njohur për të, shpesh ndihet ma e sigurt sesa ajo që është e re. Ndoshta për këtë arsye ndryshimi është kaq i vështirë. Jo sepse nuk e duam një jetë ma të mirë, por sepse truri ynë është vazhdimisht duke kërku siguri.

Ndonjëherë edhe kur ferri është ferr, të paktën e njohim rrugën për me mbërri aty.

Imagjinoje kështu. Truri mëson nga ajo që përsëritet. Ndoshta për këtë arsye është kaq e rëndësishme me e pyet veten se çka po ushqen çdo ditë. Jo vetëm me ushqim, por me fjalë, me njerëz, me mendime dhe me rutina.

Tash është e jotja me vendos çka don me ushqy.

Sakrifica është devotshmëri. Për mu, devotshmëria është lutja në veprim. Kur lutja vishet me devotshmëri, në long term, jeta fillon me marrë formën e asaj që ke andërru, najherë edhe ma mirë se ç’ke mujt me andërru ndonjëherë.

Ekzistojnë praktika të ndryshme për me punu me zërin e brendshëm. Një prej tyre është NLP (Neuro-Linguistic Programming). NLP propozon që mënyra si flasim, perceptojmë dhe organizojmë përvojat tona ndikon në mënyrën si e përjetojmë realitetin. Shpesh përdoret metafora e kompjuterit, me arkiva dhe files të ndryshme, për me shpjegu se si disa modele të mendimit dhe sjelljes mund të ndryshohen me kalimin e kohës.

A është kaq e thjeshtë? Sigurisht që jo. Truri është shumë ma kompleks se kaq. Por mua më pëlqen kjo metaforë, sepse më ndihmon me mendu për versionet e ndryshme të vetes si pjesë me të cilat mund të komunikosh.

Po çka do të thotë me punu me pjesë?

Do të thotë me punu me versionet e tua. Me ato vetëdije që jetojnë brenda teje dhe që shfaqen në varësi të gjendjes ku ndodhesh.

Unë këtë praktikë e bëj në këtë formë. Ulem dhe filloj ta përgatis veten për me kriju një gjendje trance, një qetësi pothuajse hipnotike. Ndonjëherë e bëj ulur, ndonjëherë në këmbë, dhe filloj me fol.

E thërras në sipërfaqe vetëdijen e prindërve të mi dhe filloj dialogun në formë monologu. E lë atë vetëdije me fol dhe i përgjigjem nga ajo gjendje trance.

Këto janë praktika ku vetja nuk duhet me u paragjyku, sepse në momentin që paragjykohesh, e kufizon edhe atë që mundesh me kuptu për veten.

Dhe filloj me hy me vetëdije në gjendje të ndryshme të vetes.

Për shembull, të gjithë e kemi një version tonin që na lë në baltë. Atë që nuk beson dhe zgjidhja e parë e të cilit është me heqë dorë. Për mu, ajo vetëdije shpesh merr formën e Vlerës 18 deri në 21 vjeç.

Nuk flitet mjaftueshëm për këto vite. Për sa të rënda janë për një individ. Del prej comfort zone, del prej familjes dhe për herë të parë ballafaqohesh me botën vetëm. Mësohesh me kriju rutinë pa të thanë nana e baba “duhesh me bo qet sen”. Kur askush nuk të rri mbi kry dhe papritmas nana dhe baba je ti për veten.

Dhe besomë, askush nuk të përgatitë për atë ditë.

Me krejt këto pjesë të tua mund të komunikosh. Mund të shërosh. Mentalisht shko te ai version që ka pas frikë, që ka pas nevojë për një përqafim, kur ka qenë nervoz dhe gati me thy gjithçka.

Ose, nëse edhe ti sot po ndihesh e vogël, thirre versionin tand të madh e të fuqishëm. Qite para fytyrës mentalisht dhe bisedo me të.

Ndoshta krejt kjo nuk ka qenë kurrë për me u bë dikush tjetër. Ndoshta ka qenë vetëm për me kujtu kush ke qenë gjithmonë. Dhe ndoshta pyetja ma e rëndësishme nuk është “Kush jam unë?”, por “Kush po flet brenda meje?”.

Sepse, ndoshta për herë të parë në jetë, përgjigjja është zëri yt.

Vlera Zejnullahi is a Creative Director, Intuitive Artist, and Poet from Kosovo. Author of Kujtim Drite (Memory of Light), a collection of ~80 poems. She writes in Albanian and English about consciousness, self-discovery, inner light, and feminine power. Follow on Instagram @vleeraz or Spotify.

Lexo më shumë · Read more

← Të gjitha artikujt Lexo në faqe →