Kosova konsumon botën. Po çka po i shet botës?

Nga Vlera Zejnullahi · 2026-08-16 · Kujtim Drite · Refleksione Shqip

Si një person që e ka përfundu ekonominë dhe që sot ballafaqohet çdo ditë me sfidat e biznesit, shpesh e gjej veten tu mendu për globalizimin shumë ma gjatë se çka ma ka kërku najherë universiteti. Në universitet e mëson si definicion, tregti ndërkombëtare, import, eksport, lëvizje të kapitalit, tregje që lidhen mes vete. Po kur del jashtë universitetit dhe fillon me u marrë vet me biznes, globalizimi nuk është ma një kapitull në libër. Fillon me e pa gjithkund.

E sheh në dollapin tand. Në telefonin që e mban n’dorë. Në ushqimin që han. Në kafen që e pin. Në aplikacionet ku e kalon kohën. Në biznesin lokal që mundohet me konkurru me një kompani në anën tjetër të botës. Në një trend që fillon diku në Amerikë e disa ditë ma vonë e sheh në Prishtinë. Në një fustan që kushton ma lirë me u prodhu mijëra kilometra larg, me u paketu, transportu e me ardhë deri te dera jote, sesa me u qep prej dikujt që jeton disa kilometra larg teje.

E qaty globalizimi fillon me m’interesu përtej ekonomisë.

Sepse globalizimi nuk e ka globalizu veç produktin. E ka globalizu edhe dëshirën.

Globalizimi nuk është kriju në një ditë dhe nuk e ka shpikë një shtet i vetëm. Njerëzit kanë tregtu mes vete prej mijëra vitesh. Po ajo që sot e njohim si globalizim modern u përshpejtu me industrializimin, transportin, tregtinë ndërkombëtare, e ma vonë me internetin dhe teknologjinë. Sot një produkt mundet me u dizajnu në një shtet, materiali me ardhë prej një shteti tjetër, me u prodhu në një tjetër, me u reklamu prej një influenceri në një kontinent tjetër dhe me përfundu në Kosovë.

Dhe në teori, kjo është gjeniale.

Nëse dikush mundet me prodhu diçka ma mirë ose ma lirë se unë, unë e blej prej tij. Nëse unë di me bo diçka ma mirë, ia shes atij. Nuk ka kuptim që secili shtet me tentu me prodhu çdo send vet.

Edhe na në Kosovë kemi përfitu jashtëzakonisht prej kësaj.

Sot një 23-vjeçar në Prishtinë mundet me punu prej laptopit për një kompani në Zvicër. Një dizajner prej Kosovës mundet me pas klient në Amerikë. Një programmer mundet me shitë punën e vet në Gjermani. Një artist shqiptar mundet me publiku diçka prej dhomës së vet dhe me u dëgju prej njerëzve në anën tjetër të botës.

Për një popull të vogël, kjo është një mundësi enorme.

Po sa ma shumë mendoj për globalizimin, aq ma shumë më intereson një pyetje tjetër: çka kemi dhanë për krejt atë që kemi marrë?

E hap SHEIN-in. E sheh një fustan 8 euro. E porosit. Ka ardhë prej anës tjetër të botës deri në Kosovë. E vesh dy herë. Del trendi tjetër. Fustani mbetet në dollap.

Po qysh ka mujt ai fustan me kushtu 8 euro?

Dikush e ka prodhu materialin. Dikush e ka pre. Dikush e ka qep. Dikush e ka kontrollu. Dikush e ka paketu. Është transportu. Kompania duhet me fitu. Platforma duhet me funksionu. Marketingu duhet me u pagu.

E prapë, 8 euro.

Këtu nuk kemi nevojë as me shpikë tregime për me e bo problemin ma dramatik. Faktet janë mjaftueshëm të randa vet.

Vetë SHEIN ka raportu se gjatë vitit 2023 ka identifiku dy raste të punës së fëmijëve nën 16 vjeç te furnitorët e vet. Kompania tha se rastet u adresuan, porositë prej furnitorëve përkatës u pezulluan dhe politikat u ashpërsuan. Një hetim i organizatës zvicerane Public Eye ka raportu gjithashtu te furnitorë të SHEIN-it punëtorë që punonin 11 deri 12 orë në ditë, me vetëm një ditë pushim në muaj, duke arritë rreth 75 orë punë në javë.

Unë nuk po e shkruj këtë me i thanë dikujt “mos blej në SHEIN”. As nuk po e vendosi veten jashtë sistemit. Edhe unë konsumoj produkte të globalizimit çdo ditë.

Po kur një fustan kushton 8 euro, unë du me ditë pse kushton 8 euro.

Sepse ti i ke pagu 8 euro, po kjo nuk do të thotë që 8 euro është krejt çmimi i atij fustani.

Një pjesë të çmimit mundet me e pagu punëtori me orë të gjata. Një pjesë ambienti. Një pjesë prodhuesi lokal që nuk mundet me konkurru me atë çmim. Dhe një pjesë e pagujmë na, kur mësohemi që një send ku janë harxhu material, energji, transport dhe punë njerëzore duhet me kushtu ma pak se një drekë.

E tash kthehna në Kosovë.

Paramendo një grua këtu që qep tesha. Duhet me ble materialin. Me pagu rrymën. Lokalin. Punën e vet ose të punëtorit. Tatimin. Në fund, për me pas kuptim për të, një fustan duhet me kushtu 40 euro.

Ti e hap telefonin dhe e gjen një tjetër për 9 euro.

Normal që si konsumator e pyet veten: pse me pagu 40 kur mundem 9?

Dhe nuk të fajësoj.

Po qaty duhet me kuptu diçka. Ajo grua nuk është ma tu konkurru me grun tjetër në Prishtinë. Është tu konkurru me një sistem global prodhimi me miliona konsumatorë, volum enorm, furnitorë të shumtë dhe kosto që ajo nuk mundet me i pasë.

Qetu globalizimi nuk është ma teori.

Qetu globalizimi ka hi në lagjen tane.

E Kosova për mu është shumë interesante me e analizu pikërisht prej kësaj ane. Në dhjetor 2025, Kosova ka importu rreth 636.9 milionë euro mallra dhe ka eksportu vetëm rreth 79.4 milionë. Eksportet i kanë mbulu vetëm 12.5% të importeve.

Thjesht: blejmë prej botës shumë ma shumë sesa bota blen prej neve.

Kjo nuk do të thotë që importi është i keq. Përkundrazi. S’ka asnjë kuptim që Kosova me tentu me prodhu vet çdo telefon, veturë, ilaç, pajisje apo makineri që na duhet. Për një vend të vogël, tregtia me botën është jetike.

Po unë e shoh problemin diku tjetër.

Çka ndodh kur nuk importojmë veç atë që nuk mundemi me prodhu, po gradualisht mësohemi me importu edhe atë që mundemi?

Çka ndodh me fermerin kur produkti prej jashtë del ma lirë? Çka ndodh me rrobaqepësin? Me prodhuesin e mobilieve? Me zejtarin? Me biznesin e vogël? Çka ndodh me një popull kur gjeneratë pas gjenerate bëhet ma i mirë në konsumim, po jo proporcionalisht ma i mirë në prodhim?

Qetu më intereson ideja e mbijetesës kolektive.

Jo mbijetesë në kuptimin dramatik që nesër nuk kemi çka me hangër.

Po sa gjana dimë hala me i bo vet?

Sa prodhojmë? Sa kultivojmë? Sa eksportojmë? Sa dije mbajmë? Sa prej ekonomisë tonë varet prej vendimeve që merren jashtë nesh?

Sepse varësia nuk ndihet problem derisa sistemi funksionon.

Kur sistemi ndalet, atëherë e kupton sa i varun ke qenë prej tij.

Edhe këtu globalizimi bahet paradoks, sepse në të njëjtën Kosovë ku një prodhues mundet me humbë prej konkurrencës globale, një tjetër kosovar mundet me ndërtu krejt jetën falë saj.

Një programmer në Prishtinë që punon për Zvicër është globalizim.

Një kompani kosovare që shet shërbime në Amerikë është globalizim.

Një artist shqiptar që dëgjohet në Gjermani është globalizim.

Diaspora jonë është e lidhun thellë me këtë realitet gjithashtu. Remitancat personale të pranuara në Kosovë kanë qenë ekuivalente me rreth 17.3% të GDP-së në vitin 2024.

Pra globalizimi mundet me na bo ma të varun dhe ma të fuqishëm në të njëjtën kohë.

Varet ku jemi në sistem.

Dhe këtu për mu lind pyetja që duhet me ia bo vetes Kosova: a duam veç me qenë konsumatorë të globalizimit, apo duam me qenë edhe prodhues brenda tij?

Sepse unë nuk du me e mbyllë Kosovën prej botës.

Krejt e kundërta.

Du me pa ma shumë produkte kosovare jashtë. Ma shumë kompani. Ma shumë teknologji. Ma shumë software. Ma shumë ushqim. Ma shumë dizajn. Ma shumë art. Ma shumë kulturë. Ma shumë dije.

Nuk është problemi që bota po hyn në Kosovë.

Problemi është nëse Kosova nuk po del mjaftueshëm në botë.

E pastaj vijnë trendet.

Këtu për mu globalizimi del prej ekonomisë dhe hyn drejt në psikologji.

Sepse për me shitë të njëjtin produkt në krejt botën, nuk mjafton veç me e globalizu produktin.

Duhet me e globalizu edhe dëshirën.

Një vajzë në Prishtinë e hap TikTok-un dhe e sheh një çantë.

Nuk i pëlqen.

Të nesërmen e sheh prapë.

Pastaj te një influencere.

Pastaj te një tjetër.

Pastaj në Pinterest.

Pastaj në Instagram.

Mas dy javësh fillon me iu dokë e bukur.

Mas një muaji e don.

E qetu mendja jem fillon me pyet: kur është ba kjo dëshirë e saj?

Në momentin kur e ka ble?

Kur ka fillu me i pëlqy?

Apo gjatë 30 herëve që algoritmi ia ka vendos para syve?

Njerëzit gjithmonë e kanë ndiku njëri-tjetrin. Trendet nuk i ka shpikë TikTok-u. Po kurrë ma herët një sistem nuk ka mujt me e marrë një imazh, produkt apo estetikë dhe me ia vendos para syve miliona njerëzve në kaq pak kohë.

Kjo është arsyeja pse për mu globalizimi dhe trendet janë të lidhuna kaq fort.

Globalizimi e ka bo të mundshme që produkti me ardhë deri te ti.

Algoritmi e ka bo të mundshme që ti me e dashtë para se me ardhë.

E kjo më fascinon dhe më frikëson njëkohësisht.

Sepse në cilën pikë një dëshirë që na është përsëritë vazhdimisht fillon me na u dokë si dëshirë që ka lindë prej neve?

Në cilën pikë fillojmë me pasë të njëjtat tesha, të njëjtat fytyra, të njëjtat interiere, të njëjtën skincare routine, të njëjtat destinacione, të njëjtën ide të suksesit, dhe prapë secili prej nesh mendon që ka zgjedhë individualisht?

Kur them servilizëm, qetu e kam fjalën.

Jo që kush blen një produkt global është servil.

Edhe unë jam pjesë e krejt kësaj.

Servilizmi për mu fillon kur nalim së pyeturi pse.

Pse po e du këtë?

Pse po më duket e bukur?

Pse po mendoj që më duhet?

Kush fitoi pare kur unë fillova me e dashtë?

Dhe a e kam zgjedhë unë këtë dëshirë, apo vetëm e kam pa aq shumë herë sa më është ba e imja?

Kjo është arsyeja pse shpesh irritohna edhe me mënyrën qysh mësojmë në universitet. Sepse definicionin e globalizimit mundesh me e mësu për provim. Po shumë ma interesante është me e marrë atë definicion dhe me e çmontu.

Kush fiton?

Kush humb?

Kush prodhon?

Kush konsumon?

Kush e cakton çmimin?

Kush e pagun çmimin që nuk shihet në faturë?

Kush po ta shet produktin?

Dhe kush ta ka kriju dëshirën me e ble?

Për mu, qetu fillon mendimi kritik.

Jetojmë në një kohë ku teknologjia evoluon aq shpejt sa çdo ditë dikush është tu luftu për vëmendjen tonë, paret tona dhe dëshirën tonë. Nëse krejt çka na servohet e përqafojmë pa e pyetë kush e ka kriju, pse na është servu dhe kush fiton prej reagimit tonë, atëherë shumë lehtë mundemi me përfundu servilë të dëshirës së dikujt që bon pare prej servilizmit tonë.

E shumë njerëz më pyesin pse shkruj kaq shumë.

Unë nuk shkruj veç që dikush me më lexu.

Këto shkrime janë dëshmi e mendimeve të mia.

Nuk funksionoj me u ulë para një flete dhe me i thanë vetes tash duhet me shkru. Shkruj kur jam tu prit dikon. Kur jam tu pi kafe në mëngjes. Në taxi. Në lift. Në ato dhjetë minuta pushim prej punës kur mendja jem prapë është tu punu.

E qysh mos me shkru për globalizimin?

Kur më irriton trunin servilizmi dhe mendja jem nuk nalet deri sa ta qes jashtë vetes.

Globalizimi ka marrë diçka prej teje dhe prej meje hala pa u ba të vetëdijshëm për ndikimin e tij.

Edhe na ka dhanë shumë.

Unë nuk du me zgjedhë mes këtyne dy të vërtetave.

Du me i pa të dyja.

Sepse shumica prej nesh e dimë shumë mirë çka na ka dhanë globalizimi.

Po sa prej nesh jemi ulë najherë me mendu çka na ka marrë?

Vlera Zejnullahi is a Creative Director, Intuitive Artist, and Poet from Kosovo. Author of Kujtim Drite (Memory of Light), a collection of ~80 poems. She writes in Albanian and English about consciousness, self-discovery, inner light, and feminine power. Follow on Instagram @vleeraz or Spotify.

Lexo më shumë · Read more

← Të gjitha artikujt Lexo në faqe →